Duke iu referuar dëshmisë së shokut të ngushtë, por edhe mësuesve të shkollës “Asllan Shahini”, gazetari Fatos Salliu sjell detaje të tjera për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në këtë qytet, ku mbeti i vrarë me thikë 16-vjeçari Fatjon Bici, detaje që e bëjnë akoma më të rëndë këtë ngjarje.
Kështu, sipas gazetarit, rezulton se Fatjoni nuk kishte lidhje me sherrin mes adoleshentëve, por u gjet aty rastësisht. 16-vjeçari sapo kishte mbaruar mësimin, kur në një prej rrugicave pranë, teksa largohej për në shtëpi, pa kushëririn e tij teksa konfliktohej. Pikërisht ky veprim i kushtoi jetën adoleshentit. Ndërsa kushëriri i tij 15-vjeçar mbeti i plagosur.
Sa i takon 4 të rinjve, të arrestuar tashmë si autorë të dyshuar të vrasjes dhe plagosjes, Salliu tha se ata ishin nxënës të një shkolle tjetër dhe se sherri kishte nisur rreth 2 muaj më parë në një kënd lojërash. Sherr që përgjatë kësaj kohe ishte përshkallëzuar në rrjetet sociale.
“Bëhet fjalë për 4 nxënës të një shkolle tjetër, të fshatit Drizë që ndodhet pranë qytetit të Gramshit. Të rinjtë kishin pasur një sherr në një kënd lojërash të makinave elektrike, ky konflikt kishte vazhduar në rrjetet sociale”, raportoi mes të tjerash gazetari në një lidhje direkte me Klan News.
4 të rinjtë, dyshohet se kishin ardhur me paramendim, për shkak se me vete iu gjetën 3 thika dhe 2 përforcues grushti. Ata mësohet se gjatë marrjes në pyetje një ditë më parë kanë rrëfyer të gjithë dinamikën e ngjarjes.
Mëngjesin e sotëm, nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Asllan Shahini”, ku studionte 16-vjeçari vendosën lule e ndezën qirinj në vendin ku ai u shua. Në bankën e tij qëndronte një tufë me lule, ndërsa shokët e shoqet e klasës e kishin të pamundur të mbanin lotët, për djalin që të gjithë e cilësojnë si ‘shembullor’.

