TV News
Diaspora

Rama: Kurti ka mbështetjen time për vetëmenaxhimin e komunitetit serb

E diel, 26 Mars 2023 – 18:40
albinfo.ch

FB: Edi Rama

Në vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit në Tiranë temë kryesore e diskutimit ishte marrëveshja e arritur në Ohër më 18 mars. Kurti u takua për drekë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën i cili ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën në rrugën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, përcjellë albinfo.ch.

Ai gjithashtu i ka dhënë mbështetje Kurtit edhe për vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe funksionimit të Kishës Serbe në Kosovë. “I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, ka thënë Rama, përcjellë albinfo.ch.

Është bërë e ditur se mbledhja e ardhshme mes dy qeverive do të mbahet në qershor. Kurti gjatë së dielës ka qëndruar në vizitë në Tiranë, ku ka takuar edhe Presidentin Bajram Begajn dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikollën.



Lajme të ngjashme

Mërgimtarët në Zvicër hapin dyert për liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim

Suad Avdiu

Shqiptari nga Turqia e çon në vend amanetin e nënës, boton librin “Prekazi”

Vlora Zenuni Hamiti

Kryeministri Kurti takohet në Vjenë me këshilltarin shqiptar në Austri, Fidan Limani

Suad Avdiu