TV News
Maqedoni

AKSIONE EKOLOGJIKE NË DIBËR! Shumë të rinj të kyçur në projekt

Në përputhje me programet e punës, shoqatat qytetare në komunën e Dibrës në bashkëpunim me institucionet lokale filluan realizimin të aksioneve ekologjike për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Në organizim të shoqatës Qendrës për zhvillim të qëndrueshëm të bashkësive, u mbajt një aksion masiv ekologjik për pastrim të hapësirës të parkut të ri të qytetit të Dibrës. Është një aktivitet që u realizua në kuadër edhe të projektit “Eko dron patrola” që financohet nga Ambasada amerikane në Shkup.

Koordinatori i projektit Shuip Marku vlerson se aksioni ekologjik i pari i këtij lloji për sezonin pranveror ishte i suksesshëm. Në aksionin morën pjesë nxënës dhe të punësuar në shkollën e mesme komunale “28 nëntori”, shkollat fillore “Penestia” dhe “Said Najdeni”.

Ky park i cili shpesh herë për shkak të jo korrektesës të një pjese të qytetarëve mbushet me deponi të egra, ndërsa pas këtij aktiviteti u pastrua tërësisht. Në bisedën që patëm me pjesëmarrës në këtë aksion ekologjik u informuam se ata janë të gatshëm të marrin pjesë rregullisht në aksionet e këtilla. Në këtë aktivitet masovik ishin të kyçur edhe punëtorët e ndërmarrjes komunale publike “Standardi”. Punëtorët me mjetet e ndërmarrjes grumbulluan mbeturinat në qeset e zeza dhe ata përfunduan në deponinë e qytetit. Organizatorët e këtij aktiviteti shembullor poashtu apeluan tek banorët e kësaj ane të rrisin ndërgjegjen për një mjedis më të mirë jetësor meqë parku i ndërtuar nga organizata ndërkombëtare Amerikane USAID ka pajisje për fëmijët dhe është një hapësirë që mundëson rekreim.

Në drejtim të pastrimit të deponive të egra në komunën e Dibrës këtë vit një aktivitet shumë parimor jep projekti eko patrola. Me projektin faktikisht bëhen incizime me video dron dhe përcaktohen vendet në qytet dhe në rajon ku ka ndotje të mjedisit jetësor. Prandaj projekti ka një domethënie të madhe meqë pas evidentimit të deponive të egra rritet edhe vetëdija e banorëve për të pastruar deponitë.
Kur jemi tek aksionet ekologjike të theksojmë se këto ditë janë realizuar aksione ekologjike për pastrimin e mjedisit jetësor edhe nga shkollat fillore dhe të mesme në komunën Mavrovë Rostushë me përkrahje të plot të pushtetit vendor. Përfaqësuesit të shkollave fillore në komunën Mavrovë Rostushë thonë se janë pastruar vetëm për dy ditë një numër i madh i deponive të egra kryesisht në fshatrat e mëdha siç janë Skudrinjë, Rostushi dhe Zhirovnica.

Shoqatat dhe pushteti vendor në Dibër kanë informuar se me koordinim të përbashkët do të vazhdojnë aktivitete për aksionet ekologjike. Këto ditë pritet pastrimi nga mbeturinat plastike në bregun e liqenit të Dibrës, në disa hapësira në periferi të qytetit të Dibrës. Në aksionet siç bëhet e ditur do të marrin pjesë anëtarët e shoqatave qytetare, nxënës të shkollave, administrata e komunës si dhe ndërmarrja publike “Standardi”.

Lajme të ngjashme

Gjithnjë e më pak filloristë në Dibër

Suad Avdiu

ESHS: Mbi 800 milionë euro janë investuar në ndërtimin e banesave në vitin 2023

Suad Avdiu

BFI me njoftim: Ja kur falet namazi i Kurban Bajramit në RMV

Suad Avdiu