Dosja e inceneratorit të Fierit kaloi për gjykim me vendim të Gjykatës së Posaçme. Por në ndryshim nga inceneratori i Elbasanit, për djegësin e Fierit, togat e zeza i kërkuan prokurorisë së Posaçme rikualifikimin e veprave penale për 5 nga 19 të pandehurit. Me saktësimin e akuzave, ish-sekretari i ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako do të gjykohet jo më për korrupsion në cilësinë e zyrtarit të lartë, por si funksionar publik.
Edhe ndaj ish-zv.presidentit të FSHF, Arben Dervishaj, gjykata ndryshoi akuzën nga shpërdorim detyre, në korrupsion pasiv në sektorin privat dhe falsifikim dokumentesh.
Rikualifikimi i këtyre veprave penale zbut masën e dënimit të mundshëm si ndaj Bllakos dhe Dervishajt, ashtu dhe ndaj personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në skemën e korrupsionit Klodian Zoto, Arjola Kodra dhe italianit Giuseppe Ciafaglione.
Avokatët mbrojtës ngritën pretendime për natyrën e akuzave, ndërsa thanë se prokuroria ka devijuar hetimet.
SOKOL HAZIZAJ
AVOKAT
Unë vazhdoj të them se akuza sa i përket në themelit të saj në korrupsion nuk ekziston tek Alqi Bllako. Ndonëse gjykata arriti ta artikulonte përgjysmë atë që ne i kemi thënë. Ne do të vazhdojmë t’i mëshojmë faktit për të artikuluar atë që nuk ka ndodhur me Alqi Bllakon.
GURALI BRAHIMLLARI
AVOKAT
Janë provuar që janë të falsifikuara dokumentet dhe në mënyrë siç kanë konfirmuar ekspertët, me imitim apo të vendosura me xham. Prokuroria lidhur me një akuzë që ka vendosur për mashtrim, jo vetëm për klientin tim, por dhe për disa të pandehur të tjerë për pagesat me një firmë italiane, ka devijuar hetimet sepse në bindjen time rezulton se nuk ka qenë detyrë e klientit që mbroj. Ka qenë detyrë e administratori të ri që të bëjë verifikimet.
Një tjetër vendim i dhënë nga gjykata ishte edhe ai i pushimit të akuzës për një tjetër të pandehur, për shkak se ai ka vuajtur dënimin e dhënë nga Apeli i Tiranës për të njëjtën vepër penale.
Tashmë, pritet çelja e procesit gjyqësor me 18 të pandehur, përfshirë edhe ish-ministrin e mjedisit, Lefter Koka.