Kompania Meta është dënuar me një gjobë prej 805 milionë eurosh nga Agjencia Italiane për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për shkak të qasjes në fotografitë dhe videot e përdoruesve të Android-it pa pëlqimin e tyre të qartë.
Sipas autoritetit italian, rreth 20 milionë përdorues të Facebook-ut nuk janë informuar siç duhet se aplikacioni kishte qasje në fotografitë dhe videot e ruajtura në memorien e telefonave të tyre.
Përmes një funksioni të veçantë, Facebook u sugjeronte përdoruesve fotografi dhe video nga telefoni për krijimin e publikimeve të reja. Megjithatë, përdoruesit nuk ishin njoftuar qartë se përmbajtja e tyre do të përdorej edhe për gjenerimin e këtyre sugjerimeve.
Autoriteti italian i ka kërkuar Metës që brenda 60 ditësh ta çaktivizojë këtë funksion si cilësim të parazgjedhur dhe të kërkojë pëlqimin e posaçëm të përdoruesve për aktivizimin e tij.
Gjoba prej 805 milionë eurosh konsiderohet ndër më të lartat që autoriteti italian u ka shqiptuar ndonjëherë kompanive të teknologjisë.
Meta, kompania mëmë e Facebook-ut, Instagram-it dhe WhatsApp-it, muajin e kaluar u përball edhe me një gjobë prej 25 miliardë dollarësh në shtetin amerikan të Nju Meksikos, lidhur me akuzat për mashtrim të publikut mbi mënyrën e trajtimit të të dhënave të përdoruesve të Facebook-ut.

