Dhuna në familje vazhdon të mbetet shqetësuese në Maqedoninë e Veriut. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026 janë regjistruar 1.337 vepra penale dhe 1.433 viktima, shumica dërrmuese e të cilave janë gra.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga janari deri në shtator janë denoncuar 1.388 autorë të dyshuar të veprave penale, prej të cilëve 1.278 meshkuj. Nga numri i përgjithshëm i viktimave, 1.144 janë gra dhe 289 burra.
Përveç veprave penale, policia ka regjistruar edhe 191 kundërvajtje të lidhura me dhunën në familje, me 221 viktima.
Ndërkohë, numri i ankesave është dukshëm më i lartë. Brenda nëntë muajve janë evidentuar 3.869 ankesa për dhunë në familje, me gjithsej 3.961 viktima të raportuara, prej të cilave 2.567 gra dhe 1.394 burra.
Nga MPB u bëjnë thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë dhunës dhe të denoncojnë çdo rast.
“Çdokush që është viktimë e dhunës në familje, apo ka njohuri për raste të tilla, mund t’i raportojë ato në stacionin më të afërt policor ose në numrat 112 dhe 192”, njoftojnë nga MPB.

