Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është stabile pavarësisht se i ka 62 deputetë në Kuvend, të cilët e mbështesin.
Sipas tij, mbështetja e ngushtë parlamentare e bën kryeministrin të përballet me kërkesa të vazhdueshme nga deputetët, përfshirë edhe ata të komuniteteve joshumicë, të cilët, sipas Tahirit, po kërkojnë më shumë pozita ministrore.
Duke folur për funksionimin e qeverisë, Tahiri ka thënë se Kurti nuk është në pozitë komode, pasi shumica prej 61 deputetësh nënkupton se secili prej tyre mund të ketë kërkesa të veçanta.
“Kurti nuk është komod. Nuk i ka të gjithë numrat, i ka 61 deputetë, qeverisja me 61 vota është qeverisje me 61 kryeministra, sepse secili e ka nga një kërkesë. Atij veç i kanë filluar kërkesat”, ka deklaruar Tahiri të enjten në “Interaktiv” të KTV-së.
Tahiri ka thënë se Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet ta kuptojnë se për të arritur rezultate të mëdha nevojitet bashkëpunim me partnerë politikë dhe një ekip më i gjerë.
Ai ka kritikuar edhe përbërjen aktuale të kabinetit qeveritar, duke i cilësuar ministrat ndër më të dobëtit.

