Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, me të cilën ka diskutuar për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe mundësitë që ofron qasja e re e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. Përmes një statusi, Sali theksoi se integrimi gradual në BE mundëson që reformat të përkthehen në përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset. “Për ne, integrimi gradual është mundësi që reformat të shndërrohen në përfitime të prekshme: pagesa më të lira përmes SEPA-s, lidhje më të mira digjitale, mundësi të reja për bizneset dhe afrimin me programet evropiane”, ka shkruar Sali. Ai nënvizoi se vendi mbetet i përkushtuar për vazhdimin e reformave, duke kërkuar që përparimi të vlerësohet mbi bazën e meritave dhe të shoqërohet me hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sali bëri të ditur gjithashtu se gjatë takimit, Komisionerja Kos pati mundësi të komunikojë drejtpërdrejt me mediat nga Maqedonia e Veriut, përmes një interviste kushtuar perspektivës evropiane të vendit. “Integrimi evropian duhet të jetë një proces që qytetarët e shohin, e ndiejnë dhe përfitojnë prej tij”, përfundoi Sali.

