Kompania koncesionare e autostradës Milot–Morinë në Shqipëri, “Albanian Highway Concession” (AHC), thuhet se ka kërkuar rritjen e tarifës së kalimit për veturat nga 5 në 8 euro.
Kërkesa është bërë e ditur përmes një dokumenti që po qarkullon në rrjetet sociale, por deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht as autenticiteti i tij dhe as miratimi i mundshëm i rritjes.
Sipas dokumentit, koncesionari kërkon rishikimin e tarifës duke u thirrur në formulën e indeksimit të përcaktuar në kontratën e koncesionit. Kompania pretendon se tarifa ka mbetur e pandryshuar që nga fillimi i operimit të autostradës, në vitin 2018, pavarësisht ndryshimeve të treguesve ekonomikë.
Përmenden edhe ndikimet financiare që, sipas koncesionarit, kanë ardhur si pasojë e moszbatimit të indeksimit të tarifës, si dhe çështjet që lidhen me kursin e këmbimit.
Tarifa bazë e publikuar për veturat është 5 euro, përfshirë TVSH-në. Nëse kërkesa për rritjen në 8 euro miratohet, një udhëtim vajtje-ardhje në këtë autostradë do të kushtonte 16 euro, nga 10 euro sa kushton aktualisht sipas tarifës bazë.
Megjithatë, dokumenti që po qarkullon paraqet pretendimet e koncesionarit dhe nuk dëshmon se rritja është miratuar. Deri në një njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse, tarifa prej 8 eurosh mbetet vetëm një kërkesë e raportuar.



