Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, i është drejtuar me një mesazh publik kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke kërkuar mirëkuptim dhe një zgjidhje për shqetësimet e studentëve.
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetet sociale, Fejza thekson se zëri i studentëve duhet të dëgjohet me vëmendje dhe pa paragjykime, pasi, sipas saj, të rinjtë janë e ardhmja e vendit.
“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë”, shkruan këngëtarja.
Ajo i bën thirrje kryeministrit Rama që të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe të arsyeshme, e cila do t’u japë shpresë studentëve dhe qetësi familjeve të tyre.
“Ju lutem, gjeni një rrugë mirëkuptimi, një zgjidhje të drejtë e të arsyeshme, që u jep studentëve shpresë dhe familjeve qetësi. Një zgjidhje që nuk e thellon ndarjen, por ndërton ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve”, apelon Fejza.
Në mesazhin e saj, këngëtarja nënvizon se përgjegjësia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm te vendimmarrja, por edhe te gatishmëria për të dëgjuar qytetarët dhe për të gjetur gjuhën e përbashkët.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre”, shprehet ajo.
Në fund, Shkurte Fejza thekson se dëshiron që fjala të shërbejë si urë bashkimi dhe jo si shkak për ndarje, duke e mbyllur mesazhin me një urim për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe çdo shqiptar që dëshiron një të ardhme më të mirë për fëmijët e vet!”, përfundon këngëtarja.

