Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqjen për shkak të protestave të studentëve, të cilat kanë vijuar për të tretën ditë radhazi dhe janë shoqëruar me tensione dhe përplasje në kryeqytet.
Në një intervistë me shkrim për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Rama u shpreh se qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike dhe jo përmes protestave. Sipas tij, zgjedhjet e zhvilluara vitin e kaluar i kanë dhënë një mandat për të vijuar drejtimin e vendit.
“Sa u përket thirrjeve për dorëheqjen time, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike. Ne zhvilluam zgjedhje vitin e kaluar, jo një revolucion”, deklaroi kryeministri.
Protestat janë nxitur nga pakënaqësitë e studentëve për kostot e arsimit dhe korrupsionin, ndërsa kërkesa kryesore e tyre është largimi i Ramës nga detyra.
Gjatë tubimeve në kryeqytet, disa protestues kanë thyer xhama dhe kanë dëmtuar institucione shtetërorë dhe biznese private, ndërsa policia ka përdorur ujë dhe gazlotsjellës. Për shkak të situatës së krijuar, Kuvendi ka anuluar seancën plenare.
Rama është shprehur i gatshëm të diskutojë për shqetësimet që lidhen me rritjen e kostove të arsimit, por ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave.
“Përgjegjësia ime është të dëgjoj, t’u përgjigjem shqetësimeve legjitime dhe ta çoj Shqipërinë përpara”, tha ai, duke shtuar se sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimi i pronës publike nuk lidhen me kërkesat legjitime të studentëve.
Këto protesta përbëjnë një tjetër sfidë për kryeministrin, i cili fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Situata vjen gjithashtu pas disa muajsh protestash kryesisht paqësore, të zhvilluara për çështje të ndryshme, mes tyre edhe planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin jugor të Shqipërisë, në zonën e Sazanit dhe Zvërnecin. Projekti, i mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, është përballur me kundërshtime dhe sfida ligjore.(INA)

