Raporton: Televizioni News
Drejtori i Agroberzës në Maqedoninë e Veriut, Mevludin Avdija, ka zhvilluar takime dhe kontakte të rëndësishme me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve ndërkombëtare, në ditën e parë të panairit ndërkombëtar në IFEMA Madrid, Spanjë.
Pjesëmarrja në këtë panair përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e sektorit bujqësor të vendit, krijimin e lidhjeve të reja me partnerë ndërkombëtarë dhe shkëmbimin e përvojave me përfaqësues të industrisë bujqësore nga vende të ndryshme.
Gjatë kësaj dite, delegacioni pati mundësinë të zhvillojë bisedime me përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve të ndryshme, me synimin për të identifikuar mundësi konkrete për bashkëpunim dhe për të krijuar partneritete të reja në të ardhmen.
Një rëndësi të veçantë aktivitetit i dha edhe prania e ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Madrid, Edmond Ademi, i cili mbështeti prezantimin dhe promovimin e sektorit bujqësor të vendit në këtë ngjarje ndërkombëtare.
Përmes këtyre kontakteve, Agroberza synon të kontribuojë në zgjerimin e mundësive për fermerët dhe bizneset bujqësore, duke nxitur bashkëpunimin me tregjet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Dita e parë e panairit u karakterizua nga takime produktive, shkëmbim përvojash dhe mundësi të reja, të cilat mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunime të ardhshme në interes të zhvillimit të bujqësisë dhe mbështetjes së fermerëve në Maqedoninë e Veriut.

