Raporton Televizioni News 📺
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën lokale të fshatit Llopat të Kumanovës, ku një biçiklist 50-vjeçar është përplasur nga një automjet i tipit “Mercedes”, i drejtuar nga një 15-vjeçar.
Sipas njoftimit të policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:30. Në përplasjen janë përfshirë automjeti me targa të Kumanovës, i drejtuar nga një 15-vjeçar nga Llopati, dhe biçikleta e drejtuar nga I.H., 50-vjeçar, gjithashtu banor i këtij fshati.
Nga përplasja, biçiklisti ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Urgjente në Kumanovë, ku edhe janë konstatuar lëndimet.
Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi hetimor i SPB Kumanovë, i cili ka kryer ekspertizën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Hetimet për rastin vijojnë.

