Shkup – Policia ka nisur një aksion të koordinuar në rreth 20 lokacione në kuadër të hetimit për dyshimet për falsifikim dhe lëshim të paligjshëm të patentë-shoferëve për kategoritë C dhe D, për kamionë dhe autobusë.
Kontrollet kanë për qëllim sigurimin e provave materiale dhe zbardhjen e plotë të rastit, i cili dyshohet se është pjesë e një skandali të madh korruptiv në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas dyshimeve të bëra publike, disa persona kanë marrë ose u janë shtuar kategoritë C dhe D në patentë-shofer, edhe pse nuk kishin ndjekur trajnime dhe nuk kishin kaluar provimet përkatëse.
Rasti u bë publik në fund të gushtit 2026. Sipas mënyrës së dyshuar të funksionimit, personat raportonin në mënyrë fiktive humbjen e patentës dhe aplikonin për dokument të ri. Gjatë fotografimit dhe përpunimit të dokumentit, zyrtarë të korruptuar dyshohet se u shtonin drejtpërdrejt në sistem kategoritë më të larta.
Për këtë shërbim dyshohet se paguhej rreth 1.400 euro, ndërsa dyshimet flasin për më shumë se 300 patenta të falsifikuara.
Hetimet kanë ngritur gjithashtu dyshime se disa nga zyrtarët e përfshirë kanë qenë të lidhur më herët edhe me aferën e pasaportave të falsifikuara, të njohur si “Dyjnik”.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm në MPB ka nisur hetim të gjerë, ndërsa ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, ka konfirmuar se masat po ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike.
Toshkovski ka paralajmëruar sanksione të ashpra për çdo person që ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

