Rezultatet e PISA 2025 tregojnë një pasqyrë shqetësuese për nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut.
Vetëm 32% e nxënësve kanë arritur nivelin bazë në matematikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65%. Në lexim, nivelin bazë e kanë arritur vetëm 26%, ndërsa në shkencë rreth 36%.
Në matematikë është shënuar rënie krahasuar me vitin 2022, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë kanë mbetur afërsisht në të njëjtin nivel.
Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale
Edhe përdorimi i teknologjisë po ndikon në mënyrën e të nxënit. 33% e nxënësve në vend thonë se bashkëmoshatarët e tyre shpesh shpërqendrohen nga pajisjet digjitale gjatë orëve të shkencës. Nxënësit që raportojnë shpërqendrim digjital kanë marrë mesatarisht 22 pikë më pak në test.
Për të kufizuar këtë problem, 60% e shkollave në Maqedoninë e Veriut kanë vendosur ndalesë për përdorimin e telefonave celularë.
Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e përditshmërisë së nxënësve: 44% përdorin chatbotë me AI për detyra shkollore të paktën një herë në javë, kryesisht për kërkime, përmbledhje tekstesh dhe përgatitjen e eseve.
Studimi është realizuar me 6.977 nxënës nga 124 shkolla, që përfaqësojnë rreth 90% të popullsisë 15-vjeçare në vend.
PISA 2025 jep një sinjal të qartë: arsimi përballet jo vetëm me dobësi në njohuritë bazë, por edhe me sfidën e përdorimit të teknologjisë dhe AI-së në mënyrë që të ndihmojë, e jo të pengojë procesin e të nxënit./INA/

