Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, të dielën ka publikuar dy fotografi në rrjetet sociale, në të cilat shihen deputeti Kujtim Shala dhe deputetja Hykmete Bajrami.
Hoti nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për publikimin e fotografive, ndërsa në përshkrim ka vendosur vetëm simbolin e LDK-së me dy gishta, shkruan Insajderi.
Hoti, Shala dhe Bajrami, së bashku me deputetët Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri, janë gjashtë deputetët e LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president.
Qëndrimi i tyre ka qenë në qendër të zhvillimeve politike në ditët e fundit, pasi kundërshtimi i tyre rrezikon mbështetjen e nevojshme për zgjedhjen e Sejdiut. /Gazeta Insajderi/

