Kreu i BDI-së mobilizon mbështetësit në kryeqytetin e Kosovës në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në një marshim që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Marshimi është paralajmëruar të nisë në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një postimi, Ahmeti u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen tubimit, duke e lidhur atë me mbështetjen për njerëzit që, sipas tij, sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Pas çdo sakrifice dhe pritjeje duhet të triumfojnë drejtësia dhe liria”, ka shkruar Ahmeti.
Në mesazhin e tij, kreu i BDI-së ka shprehur mbështetje për luftëtarët dhe heronjtë e luftës dhe të paqes, duke e përmbyllur thirrjen me mesazhin:
“Për luftëtarët tanë, për heronjtë e luftës dhe të paqes, për UÇK-në!”
Marshimi pritet të jetë një nga tubimet e radhës në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe procesit të tyre gjyqësor në Hagë.

