Ish ministri i Jashtëm, aktualisht nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, ka publikuar gjashtë hapa që, sipas tij janë të domosdoshëm për “normalizimin e demokracisë multietnike” në Maqedoninë e Veriut.
Por postimi i tij ka marrë një përgjigje kritike nga funksionari i VLEN-it, Fatmir Zymberi me komentin që ka bërë në Fejsbuk i cili ia ka kthyer gjashtë kërkesat me të njëjtin zë kritik:
“Pse këto masa nuk u ndërmorën kur BDI ishte në pushtet? A nuk duhej të vendosej kjo në vitin 2008, pas ardhjes në pushtet asokohe, apo nuk kishit kohë për vendime të tilla?”, shkruan Zymberi, duke ngritur pikëpyetje edhe për rolin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur gjatë periudhave të mëparshme qeverisëse.
Në koment ai rikujton edhe periudhën e qeverisjes së Nikolla Gruevskit, duke shkruar: “Kur Nikolla (Gruevski) shkruante një deklaratë dhe punësoheshte si shqiptar.”
Sa i përket Inspektoratit të Gjuhëve, ai argumenton se institucioni ka pasur autonomi edhe më herët dhe se, nëse ajo autonomi është humbur, “atëherë bëhet fjalë për rikthim të një gjendjeje që dikur ekzistonte”.
Kritika prek edhe zotimet për integrimin evropian, duke iu referuar një fotografie që Osmani e kishte publikuar gjatë kohës kur ishte ministër i Jashtëm.
Në thelb, Zymberi, ndryshe drejtor i M-NAV, ia rikthen Osmanit të njëjtat gjashtë pika, por në formën e një llogaridhënjeje politike; nëse këto janë hapa të domosdoshëm për demokracinë multietnike, atëherë pse nuk u realizuan gjatë viteve kur BDI dhe Osmani ishin pjesë e pushtetit?!


