Nga BDI-ja thonë se deklarata e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, se nuk është e sigurt nëse Qeveria i ka numrat e nevojshëm për miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, është dëshmi se VLEN-i nuk ka fuqinë politike për të garantuar të drejtat e shqiptarëve. Sipas BDI-së, pas më shumë se dy vitesh në pushtet, VLEN-i ka dëshmuar se është i varur nga VMRO-DPMNE-ja dhe se, për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët, nuk është në gjendje të sigurojë as mbështetjen politike dhe as mekanizmat e nevojshëm për të marrë vendime.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Pas më shumë se dy vitesh në pushtet, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, më në fund pranoi publikisht atë që BDI e ka thënë që në fillim: kjo Qeveri nuk ka legjitimitet të mjaftueshëm politik e etnik për të garantuar të drejtat e shqiptarëve.
Në emisionin “Click Plus” në TV21, Gashi pranoi se “nuk e dimë, nuk jemi të sigurt” nëse i kemi numrat e nevojshëm për ta kaluar Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Kuvend.
Ky është një pranim i rëndë politik.
Pas më shumë se dy vitesh pushtet, VLEN-i e pranon se nuk është faktor vendimmarrës, por patericë e VMRO-DPMNE-së. Për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët, nuk vendosin ata dhe nuk kanë as guximin, as fuqinë politike për të siguruar mbështetjen e nevojshme.
VLEN erdhi në pushtet duke premtuar se do ta zgjidhte çështjen e përfaqësimit të drejtë. Sot, kryetari i Kuvendit nga radhët e tyre pranon se as nuk e di nëse Qeveria që ai përfaqëson i ka votat për ta miratuar ligjin.
Atëherë shtrohet pyetja: Çfarë roli ka Vleni në këtë Qeveri?
Sepse kur bëhet fjalë për interesat politike të shqiptarëve, VLEN-i hesht. Kur duhet të kërkojë garanci për shqiptarët, tërhiqet. Kur duhet të sigurojë vota për një ligj që e konsideron të rëndësishëm, pranon se nuk i ka numrat.
Kjo është pikërisht ajo që BDI e ka paralajmëruar: pa legjitimitet të fuqishëm shqiptar dhe pa mbështetje të drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë, VLEN nuk mund të imponojë asnjë agjendë politike shqiptare në këtë Qeveri.
Më shqetësues është fakti se Gashi flet për “dialog”, “gatishmëri politike” dhe mundësi për ndryshimin e ligjit pasi të shihet zbatimi i tij. Por shqiptarët nuk kanë nevojë për eksperimente dhe improvizime. Kanë nevojë për një mekanizëm të qartë, kushtetues dhe funksional që garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet shtetërore.
Ky nuk është thjesht dështim i një ligji.
Është dështim i një modeli qeverisës që shqiptarët i përdori për të ardhur në pushtet, ndërsa pas zgjedhjeve i la pa zë, pa garanci dhe pa potencë politike.
Pas më shumë se dy vitesh, paterica e VMRO-së po e pranon vetë se nuk mund të ecë pa të.

