Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka thënë se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nuk është tërhequr nga procedura parlamentare dhe se pika mbetet në rendin e ditës.
Duke folur në emisionin “Click Plus” në TV21, Gashi tha se është shfrytëzuar e drejta e paraparë me Rregulloren e Kuvendit që kryetari të organizojë kushtet për votim.
“Nuk është tërhequr ligji, pika është në rend të ditës. E kemi shfrytëzuar të drejtën me Rregullore që kryetari i Kuvendit të organizojë kushtet për votim. Ky është më shumë element politik, jo gjithmonë janë çështjet teknike”, tha Gashi.
Ai u shpreh gjithashtu se nuk pret që ligji të votohet në mënyrë të fshehtë.
“Nuk ka gjasa që Ligji të votohet fshehurazi”, deklaroi kryeparlamentari.
Sipas Gashit, ligji është i përgatitur mirë dhe ka kaluar filtrat ndërkombëtarë, ndërsa ai pret që zbatimi i tij të japë rezultatet e synuara.
“Ne jemi të bindur se ky ligj është solid, mirë i përgatitur, ka kaluar filtrat ndërkombëtarë dhe do t’i japë rezultatet e duhura”, ka thënë Gashi.
Gashi: Jam ithtar i zgjedhjeve të rregullta, bllokimi i Kuvendit nuk i shërben askujt
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se zgjedhjet parlamentare duhet të mbahen në afatin e rregullt, duke theksuar se bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita nuk duhet të çojë në zgjedhje të parakohshme.
Duke folur në emisionin “Click Plus” në TV21, Gashi tha se diskutimet e vazhdueshme për zgjedhje krijojnë pasiguri te qytetarët dhe ndikojnë negativisht edhe në aspektin ekonomik.
“Jam ithtar i asaj që zgjedhjet parlamentare të mbahen në afatin e rregullt, duke u bazuar në shoqëritë e avancuara. Duke biseduar vazhdimisht për zgjedhjet, krijojmë huti dhe pasiguri te qytetarët”, tha Gashi.
Sipas tij, çdo ndërhyrje në këtë proces mund të ketë pasoja edhe për ekonominë.
“Efektet e bisedave për zgjedhjet janë negative për shoqërinë”, deklaroi ai.
Gashi theksoi se zgjedhjet e parakohshme mund të mbahen nëse për një gjë të tillë votojnë të paktën 61 deputetë, duke shtuar se nuk do të ishte kundër një vendimi të tillë, por e konsideron atë si zgjidhje jo të duhur në parim.
“Tani zgjedhje mund të ketë nëse 61 deputetë votojnë të ketë zgjedhje. Nuk do isha kundër, por parimisht është gabim. Bllokimi i Kuvendit nuk i shërben askujt”, tha Gashi.

