Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, thotë se mbyllja e disa shkollave është pasojë e uljes së numrit të nxënësve dhe optimizimit të rrjetit shkollor. Ajo bëri të ditur se këtë vit janë regjistruar rreth 3.000 nxënës të klasës së parë më pak, ndërsa nga 1 shtatori përkohësisht janë mbyllur 26 shkolla rajonale, kurse në vitin e ri shkollor do të ketë 433 paralele më pak, për shkak të bashkimit të klasave me numër të vogël nxënësish. Janevska theksoi edhe masat për modernizimin e arsimit, përfshirë ndryshimet në programet mësimore dhe investimet kapitale për përmirësimin e kushteve në shkolla.
“Nuk mund të presim rezultate nga sot për nesër. Rezultatet e asaj që po bëjmë sot në arsim do të vijnë më së hershmi pas pesë-gjashtë vitesh, ndërsa në mënyrë optimale pas nëntë deri në dhjetë vitesh”, tha Janevska.
Sa i përket rritjesw së pagave për mësimdhënësit ajo edhe sot theksoi se rritja e re do të jetë në mars të vitit 2027 dhe se kjo është e sigurt, në përputhje me marrëveshjen e arritur me SASHK-un.
“Sa i përket pagave të mësimdhënësve, e dini se me SASHK-un kemi lidhur një marrëveshje, me të cilën ua garantojmë rritjen e pagave mësimdhënësve, gjë që konsideroj se është jashtëzakonisht e rëndësishme”, u shpreh Janevska.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se në vend po zhvillohen rikonstruksione, zgjerime dhe ndërtime të reja të objekteve dhe terreneve sportive shkollore, sipas një liste me prioritet. Sipas saj, ndryshimet klimatike nuk duhet të pengojnë mësimin, por shkollat duhet t’u përmbahen protokolleve dhe ta përshtatin procesin mësimor sipas kushteve të motit.

