Shasivari pranë ambasadores amerikane: Zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në burgje*
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në burgje është një nga prioritetet në reformën e sistemit penitenciar, tha ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, në Konferencën Rajonale “Krimi i organizuar në burgje – forcimi i integritetit, kapaciteteve të inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, ku mori pjesë edhe u.d ambasadorja amerikane në vend, Nicole Varnes.
“Rrjetet kriminale nuk njohin kufij. Ato komunikojnë përtej kufijve, shfrytëzojnë dobësitë e institucioneve dhe i ndërlidhin aktivitetet e tyre në disa shtete. Prandaj, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë rajonale. Na nevojitet shkëmbim më i shpejtë dhe më efikas i informacionit të inteligjencës, koordinim më i mirë ndërmjet institucioneve, vlerësime të përbashkëta të rreziqeve të sigurisë dhe korrupsionit, si dhe ndërtim i përbashkët i kapaciteteve të sistemeve tona penitenciare”, porositi ministri Shasivari.
Gjatë periudhës së kaluar, shtoi ai, janë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e sistemit – janë punësuar 100 persona të rinj zyrtar, janë vendosur trajnime të specializuara kundër korrupsionit dhe janë formuar njësi për inteligjencën e burgjeve në Idrizovë, Shtip, Prilep dhe në Burgun e Shkupit.
“Paralelisht, punohet në profesionalizimin e menaxhimit të sistemit të burgjeve përmes përgatitjes së ndryshimeve ligjore, me të cilat pozitat drejtuese në policinë e burgjeve duhet t’u besohen profesionistëve me përvojë nga vetë sistemi. Në pjesën e përmirësimit të kushteve, janë siguruar 25 milionë euro për ndërtimin e objekteve në SHNK Idrizovë, në kuadër të projektit me vlerë prej 46 milionë euro, me qëllim të krijimit të kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme, në përputhje me standardet evropiane, tha ministri i Drejtësisë.
Shasivari, theksoi se forcimi i probacionit dhe mbikëqyrja elektronike janë pjesë e rëndësishme e politikës moderne penitenciare. Në vitin 2025 është shqiptuar aktgjykimi i parë për dënim me burgim shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, ndërsa deri më tani janë marrë 11 vendime gjyqësore për zbatimin e kësaj mase.
“Asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me krimin e organizuar. Na nevojitet shkëmbim më i shpejtë i informacionit të inteligjencës, koordinim më i mirë dhe ndërtim i përbashkët i kapaciteteve. Siguria e rajonit tonë është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi ministri Shasivari.

