Tirana po shfaqet si një nga destinacionet më të leverdishme turistike në Evropë. Një renditje e publikuar nga britanikët e vendos kryeqytetin shqiptar në krye të listës së qyteteve evropiane ku turistët mund të kalojnë pushime me shpenzime relativisht të ulëta.
Sipas të dhënave, për një ditë qëndrimi në Tiranë gjatë muajit shtator nevojiten mesatarisht rreth 60 euro për person.
Kjo do të thotë se një qëndrim treditor mund të kushtojë rreth 180 euro për person – një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me disa prej destinacioneve më të shtrenjta të kontinentit.
Dallimi bëhet edhe më i madh nëse krahasohet Tirana me Amsterdamin. Për tri ditë në kryeqytetin holandez nevojiten rreth 1.070 euro, ose afërsisht 357 euro në ditë.
Çmimet që po tërheqin turistët
Të dhënat tregojnë se në Tiranë një drekë kushton rreth 8 euro, një birrë rreth 1,50 euro, ndërsa një natë qëndrimi rreth 32 euro.
Dhe duket se turistët po e vlerësojnë këtë avantazh.
Numri i rezervimeve për Tiranën është rritur me më shumë se 300 për qind, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar.
Tirana, me kombinimin e çmimeve relativisht të përballueshme, jetës urbane dhe turizmit në rritje, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun evropian.
Nga një kryeqytet i vogël në hartën turistike të Evropës, Tirana po kthehet në një prej destinacioneve që turistët po e zgjedhin gjithnjë e më shumë – sidomos kur çmimi është një nga kriteret kryesore.

