Drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO, Burim Latifi priti sot në trafostacionin e Ohrit të ngarkuarën me detyrën e ambasadores së SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Warns të cilës i prezantoi ecurinë e projektit për ndërlidhjen energjetike me Shqipërinë. Gjatë vizitës, Latifi theksoi rëndësinë strategjike të linjës së transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan, një projekt i shumëpritur që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe rritjen e shkëmbimit ndërkufitar të energjisë. Sipas tij, trafostacioni i Ohrit po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa punimet për ndërtimin e linjës së transmetimit po zhvillohen me dinamikë të mirë dhe me progres të dukshëm në terren. “Ndërlidhja me Shqipërinë nuk është vetëm një projekt infrastrukturor. Është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë energjetike, zgjerimit të shkëmbimit ndërkufitar dhe forcimit të integrimit rajonal”, deklaroi Latifi. Ai bëri të ditur se angazhimi i MEPSO-s për zhvillimin e infrastrukturës transmetuese do të vazhdojë edhe në projekte të tjera strategjike, përfshirë planet për ndërlidhje më të fuqishme me Kosovën dhe Bullgarinë, si dhe përmirësimin e ndërlidhjes me Greqinë. “Sa më shumë të jemi të ndërlidhur, aq më të sigurt jemi. Sa më shumë të jemi të integruar në nivel rajonal, aq më të qëndrueshëm dhe më rezistent jemi”, është shprehur Latifi. Në këtë drejtim, ai shprehu mirënjohje për Ambasadën e SHBA-së për partneritetin dhe mbështetjen në zhvillimin e projekteve që kontribuojnë në krijimin e një rajoni më të fortë, më të sigurt dhe të ndërlidhur energjetikisht.

