Bullgaria po i përcakton prioritetet e politikës së saj të jashtme deri në vitin 2030, ku marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, stabiliteti i rajonit dhe forcimi i bashkëpunimit evropian mbeten ndër objektivat më të rëndësishëm, transmeton Portalb.mk.
Në prag të shënimit të 100 ditëve të para të mandatit, qeveria e kryeministrit Rumen Radev publikoi Programin për qeverisjen e Bullgarisë deri në vitin 2030.
Në pjesën “Diplomaci dypalëshe aktive, parimore dhe me përgjegjësi kombëtare”, vend të veçantë zënë marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Qeveria e udhëhequr nga Rumen Radev paralajmëron mbështetje për “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, por ato lidhen me përmbushjen e detyrimeve të marra dhe me mbrojtjen reale të të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në dokument thuhet se Bullgaria e mbështet zgjerimin si instrument për stabilitet në rajonin e saj.
Strategjia e re e Rumen Radevit për politikën e jashtme të Bullgarisë deri në vitin 2030 vjen në kohë kur po zhvillohen bisedime intensive për zhbllokimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ditët e fundit ka konfirmuar disa herë se kanë kontakte me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, me institucionet evropiane dhe me përfaqësues bullgarë, ndërsa një nga temat kryesore është tejkalimi i kontestit që bllokon rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

