Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari realizoi takim pune me përfaqësuesit e Projektit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, gjatë të cilit u shqyrtua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u dakorduan aktivitetet e ardhshme.
Gjatë periudhës së kaluar, Projekti ofroi mbështetje të konsiderueshme profesionale dhe financiare në procese kyçe reformuese, përfshirë përgatitjen e ligjeve për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për gjykatat, si dhe në punën e Këshillit për Ndjekjen e Reformave në Drejtësi.
Gjithashtu, janë përgatitur analiza dhe dokumente në përputhje me standardet evropiane, janë organizuar sesione pune, debate publike dhe punëtori, si dhe është ofruar mbështetje në zbatimin e Strategjisë Sektoriale për Zhvillimin e Gjyqësorit 2024–2028 dhe Planit të Veprimit.
Aktivitetet e përbashkëta do të intensifikohen më tej, me fokus në forcimin e frymës evropiane përmes përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian🇪🇺, për një gjyqësor modern, efikas, transparent dhe të pavarur.

