Autoritetet shëndetësore kanë rritur kapacitetet diagnostikuese, ndërsa Klekovski theksoi se gjatë ndjekjes së rasteve duhet bërë dallim mes vendit të banimit dhe vendit ku pacienti është infektuar.
Në vend deri tani janë konfirmuar 35 raste me ethe të Nilit Perëndimor, ndërsa tre persona dyshohen dhe janë në proces diagnostikimi, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas Klekovskit, aktualisht gjashtë pacientë me ethe të Nilit Perëndimor janë në gjendje kritike dhe po trajtohen në repartet e kujdesit intensiv të Klinikës Infektive.
Nga rastet e konfirmuara deri tani, shumica e pacientëve po trajtohen në Klinikën Infektive, ndërsa një pacient po trajtohet në një institucion shëndetësor privat.
Ministri bëri të ditur se deri tani janë regjistruar edhe tre raste me vdekje, ndërsa 15 pacientë e kanë kaluar infeksionin dhe janë liruar nga Klinika Infektive.
Klekovski theksoi se aktualisht Athina është ndër zonat më aktive në Evropë sa i përket etheve të Nilit Perëndimor.
Sipas të dhënave që prezantoi ai, në Greqi deri tani janë regjistruar 81 raste me formën neuroinvazive të sëmundjes dhe nëntë persona kanë vdekur, ndërsa raste janë regjistruar edhe në zonat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Institucionet shëndetësore, sipas Klekovskit, kanë rritur kapacitetet diagnostikuese për monitorimin e infeksionit.
“Nëse vitet e kaluara bëheshin rreth 40 analiza në vit, tani jemi në ritmin prej katër deri në tetë analizash në ditë. Të kujtoj se për konfirmimin përfundimtar të diagnozës duhen dy teste të pavarura”, tha Klekovski.
Ai shtoi se për rastet e mundshme janë informuar të gjithë punonjësit shëndetësorë që mund të vijnë në kontakt me pacientë me simptoma të etheve të Nilit Perëndimor.
Informacionet, siç theksoi, u janë përcjellë reparteve infektive, mjekëve amë dhe familjarë, si dhe Klinikës së Neurologjisë dhe neurologëve.
Klekovski theksoi se gjatë hartëzimit të rasteve duhet bërë dallim mes vendit ku banon pacienti dhe vendit ku ka shumë gjasa të jetë infektuar.
“Vendbanimi nuk do të thotë automatikisht edhe vendi i infektimit”, shpjegoi ministri.
Ndryshe, ethet e Nilit Perëndimor transmetohen më së shpeshti përmes pickimit të mushkonjës së infektuar. Më herët, autoritetet shëndetësore njoftuan se një pjesë e rasteve të këtij viti në vend lidhen me infeksion të marrë lokalisht, ndërsa një rast ishte i lidhur me udhëtim në Greqi.

