Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me rolin dhe peshën e zëvendëskryeministrave të parë shqiptarë në Qeveri, duke pretenduar se nga qershori i vitit 2024 e deri më sot, asnjëri prej tyre nuk ka kryesuar qoftë edhe një seancë të vetme qeveritare. Sipas BDI-së, gjatë kësaj periudhe Izet Mexhiti nuk ka kryesuar asnjë seancë të Qeverisë, ndërsa të njëjtën shifër, zero, e kanë edhe Bekim Sali dhe Arben Fetai.
“Izet Mexhiti 0 seanca. Bekim Sali 0 seanca. Arben Fetai 0 seanca. Totali: zero”, thuhet në reagimin e BDI-së. Nga kjo parti vlerësojnë se këto të dhëna tregojnë peshën reale që, sipas tyre, kanë përfaqësuesit shqiptarë brenda ekzekutivit.
“Kjo e tregon më qartë se çdo deklaratë propagandistike se çfarë peshe reale kanë shqiptarët brenda kësaj Qeverie”, thekson BDI. Partia opozitare problematizon veçanërisht funksionin e “zëvendëskryeministrit të parë”, duke ngritur pyetjen se çfarë kompetencash dhe ndikimi real ka kjo pozitë nëse personi që e ushtron atë nuk ka drejtuar asnjë mbledhje të kabinetit qeveritar.
“Pozita mund të quhet ‘zëvendëskryeministër i parë’, mund të ketë zyrë, kabinet, veturë dhe protokoll, por nëse për më shumë se dy vjet nuk të besohet drejtimi as i një seance të vetme të Qeverisë, atëherë është legjitime të pyetet: çfarë është ‘i parë’ në këtë funksion?”, thuhet në komunikatë. BDI bën krahasim edhe me qeveritë e mëparshme, duke pretenduar se atëherë funksioni i zëvendëskryeministrit kishte peshë më të madhe politike dhe institucionale në procesin e bashkëqeverisjes.
“Në qeveritë e kaluara, funksioni i zëvendëskryeministrave ishte mekanizëm real politik dhe institucional i bashkëqeverisjes. Sot është reduktuar në dekor”, akuzon BDI. Sipas partisë, debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te numri i posteve që shqiptarët kanë në Qeveri, por te ndikimi i tyre konkret në procesin e vendimmarrjes. “Dhe kjo është çështja kryesore: jo sa poste kanë marrë, por sa vendimmarrje kanë në dorë. Shifra është e pamëshirshme: 0 seanca të kryesuara me 0 vendimmarrje”, përfundon reagimi i BDI-së.

