Mbrëmjen e djeshme, gjatë festimit të madh në Ohër në kuadër të shënimit të 35-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, është shfaqur një flamur me 12 rreze në vend të 8 rrezeve zyrtare.
Spektakli muzikor “Dita shkëlqen fuqishëm” u mbajt në stadiumin “Burimet e Biljanës”. Ohri ishte stacioni i parë i turneut të paralajmëruar që pritet të përfshijë 11 qytete të vendit, ndërsa ngjarja përmbyllëse është paralajmëruar për më 4 shtator në Shkup.
Shfaqja e këtij flamuri ka nxitur reagime të ashpra nga opozita, përcjell Fokus.mk.
“Në një festim zyrtar shtetëror për 35-vjetorin e pavarësisë, të paguar me shuma të mëdha parash nga qytetarët, qeveria e Mickoskit e gaboi flamurin e Maqedonisë”, deklaruan nga SDSM.
Nga kjo parti kërkuan që Qeveria të bëjë publike se cila kompani ka qenë e angazhuar për organizimin e ngjarjes, të tregojë se sa mjete janë shpenzuar për këtë festë, si dhe të tregojë se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë lëshim. (INA)

