Kështu duken disa nga rrugët kryesore të Kumanovës në pikë të verës, ku qyteti gëlon gjithkah, pasi këtu janë edhe mërgimtarët.
Temperaturat arrijnë rreth 40°C e kontejnerët e mbeturinave mbeten të tejmbushur me javë.
Jo vetëm në bulevardet kryesore, por edhe në disa rrugë e rrugica që i denoncuan qytetarët.
Nga ana tjetër prej muajit korrik janë shtrenjtuar për 30% faturat e mbeturinave në Kumanovë.
Vendimi i Këshillit komunal ka irrituar qytetarët, të cilët shprehin revoltën e tyre gjatë pagesave në sportele. Ata thonë jo vetëm që u kushton më shumë, por vonesat në mbledhje të plehrave po ndodh tani në 6 muajt e fundit. Druajnë për ndonjë epidemi nga papastërtitë nëpër rrugë.
Nga N.P. “Pastrimi dhe Gjelbërimi” në Kumanovë thonë se në sezon të verës janë kurbetçinjtë që po bëjnë konsum të shtuar dhe si rrjedhojë ka mbingarkesë të mbeturinave në qytet. Ushtruesi detyrës drejtor Sasho Tomiq tha se kanë vënë të gjitha kapacitet në funksion, por aq kanë fuqi.
“Në këtë periudhë, në 30 ditët e fundit, ka numër të shtuar të bashkë qytetarëve tanë, të cilët përkohësisht janë duke punuar në vendet perëndimore, andaj këtu është rritur frekuentimi në Kumanovë dhe vendbanimet përreth qytetit, njëkohësisht është rritur dhe sasia mbeturinave nëse rëndomë kemi hequr 60 ton mbeturina në ditë, tani heqim 70-80 ton mbeturina në ditë”, tha Sasho Tomiq – u.d drejtor i N.P “Pastrimi dhe Gjelbërimi” – Kumanovë.
Përndryshe, nga drejtoria ankohen se po punojnë me kamionë të vjetruar dhe në numër të paktë, ku ka mungesa edhe në punëtorë. Madje, ushtruesi detyrës që udhëheqë ndërmarrjen tha se e ka gjetur të mbytur në borxhe, ku vetëm ndaj DAP kanë paguar 20 milionë denarë për 8 muaj. Borxhe kanë edhe ndaj kompanive që blejnë pjesë rezervë të kamionëve dhe ndaj pagave të punëtore, disa prej të cilëve kanë nisur procese gjyqësore. Ndërsa, veç rreth 80% e faturave paguhen rregullisht nga ana e qytetarëve, të cilëve u bëhet thirrje të shlyejnë borxhet me kohë, duke iu mundësuar pagesat me këste, për ti evituar shpenzimet e noterëve dhe përmbaruesve.

