Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Kosova “i takon” Serbisë, përveç tjerash, edhe sipas “drejtësisë së Zotit”.
Kosovën ai sërish e përdori në një fjalim për të nxitur oficerët e rinj serbë gjatë një ceremonie solemne në një kazermë ushtarake në Beograd ku foli për “forcimin e ushtrisë”.
“Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”.
Duke iu drejtuar oficerëve të rinj të ushtrisë së Serbisë, familjeve të tyre dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, Vuçiq tha se “ata janë betuar të respektojnë Kushtetutën dhe të mbrojnë integritetin territorial të Serbisë”.
“Ajo për të cilën jeni betuar sot është respektimi i Kushtetutës dhe ruajtja e integritetit territorial të Serbisë. E di çfarë presionesh do të përballoni ju dhe udhëheqja politike. Nuk kemi asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme. Kosova dhe M. janë pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë, si sipas Kushtetutës ashtu edhe sipas drejtësisë së Zotit”, tha Vuçiq.
Më pas, Vuçiq mori rolin e pacifistit.
Duke thënë se kjo “vlerë e shenjtë duhet të ruhet”, ai tha se Serbia nuk duhet të kërcënojë dhe as të rrezikojë askënd.
“Pa prekur askënd, pa sulmuar askënd dhe pa i kërcënuar të tjerët, duhet gjithmonë të jemi zot në vendin tonë”.
Ai më pas foli për investimet në ushtri dhe lavdëroi ushtrinë serbe.

