Tirana zyrtare mbështet protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Në një reagim në rrjetin social X, Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, është shprehur se dhënia e provimit të universitetit në gjuhën shqipe është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e vendit fqinj, e cila nuk mund t’i mohohet askujt.
“Përdorimi i gjuhës amtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme” ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
Sipas kryediplomatit, kjo çështje duhet të trajtohet në mënyrë institucionale dhe politika të mbetet jashtë.
“Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.”
Për Hoxhën, institucionet përkatëse të Maqedonisë së Veriut duhet t’i përgjigjen kërkesave të studentëve shqiptarë.
“Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara.”
Kjo çështje ka tërhequr vëmendje të shtuar së fundmi, pasi 385 studentë shqiptarë, nga tre universitetet përkatëse, kanë firmosur një peticion, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me të drejtat e tyre ligjore.
/vizionplus.tv

