Kryeministri i vendit Edi Rama ditën e sotme mblodhi kryetarët e bashkive në një takim që zgjati rreth dy orë.
Paketa e maleve, forcimi i sektorit të emergjencave si dhe pastrami i mjedisit, ishin disa nga temat e diskutuara mes shefit të qeverisë dhe kryebashkiakëve të djathtë.
Rama: Kam një listë, jo sipas rëndësisë por sipas kohës në të cilën këto gjëra janë vendosur në agjendën e punës sonë të përbashkët. Këtu në këtë listë janë edhe disa gjëra që kanë të bëjnë me hapat e mëtejshëm në punën tonë të përbashkët. Kemi përgatitur një projekt për të mbështetur pushtetin vendor projekt që udhëhiqet nga ministri Demo për të vënë në dispozicion të bashkive një flotë të re automjetesh që do duhet të ndihmojnë të gjitha proceset që kanë të bëjnë me pastrimin e kanaleve dhe punën parapërgatitore për sezonet e mëtejshme që të lehtësohen sezonet e ujitjes, pasojat që vijnë nga përmbytjet. Është një projekt që do ta finalizojmë në muajt në vijim me një mbështetje financiare nga qeveria e Emirateve të Bashkuara. Në bazë të disa kritereve do të bëhet edhe alokimi i kësaj flote në territor.
Shefi i qeverisë tha se një pikë tjetër e rëndësishme që u diskutua në takim është puna që ka nisur për të finalizuar sistemin e adresave.
Rama: Kërkoj nga të gjitha ju që të angazhoheni seriozisht në atë pjesë të punës që i takon bashkive. Është bërë një punë domethënëse në këtë drejtim, por duhet finalizuar. Finalizimi kërkon edhe angazhimin e individëve.
Gjithashtu, një tjetër komponent i rëndësishëm është mbrojtja nga zjarri. Rama tha se janë të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit dhe prandaj kanë miratuar një projekt të paraqitur nga ministri për Pushtetin Vendor.
Rama: Do të fillojmë të prodhojmë dhe të vëmë në dispozcion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme duke pasur parasysh që fenomeni i zjarreve nuk po vjen duke u zbutur, por po agravohet. Laboratorë të dedikuar për teknologjinë në klasat e shkollave, është një pikë tjetër në projektin e ministrit Demo. Me programin e qeverisë këto klasa do të shkojnë mbi 1000 (tani janë mbi 300). Duhet të jenë laboratorë të mësimit të teknologjisë edhe pas orës së mësimit, për këtë duhet puna e bashkive për të organizaur një sistem ku t’i jepet mundësi fëmijëve që të kenë akses në këto laboratorë./vizionplus.tv

