Në takim me kryebashkiakët, Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Paketa e Maleve” ka shënuar përparime konkrete, ndërsa disa bashki kanë avancuar me procedurat dhe kanë përcaktuar 10 projektet prioritare për zbatim.
Gjatë takimit me kryebashkiakët, Rama bëri të ditur se në një prej bashkive, pa e specifikuar emrin, janë parashikuar rreth 5 milionë euro investime, pjesërisht nga emigrantë që kanë shprehur interes për të investuar në kuadër të kësaj pakete.
“Paketa e Maleve ka pasur progres. Disa bashki kanë bërë progres me procedurat dhe kanë përcaktuar objektivin bazë të 10 projekteve për të nënshkruar dhe vijuar me procesin e marrjes së lejes. Në njërën nga bashkitë janë 5 milionë euro të llogaritura nga 10 investimet e llogaritura në Paketën e Maleve nga persona që janë në emigracion”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te zhvillimi i trashëgimisë kulturore dhe turizmit, duke theksuar se Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces për muzealizimin e godinave me vlera historike.
“Sa u takon muzeve. Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka nisur një proces shumë të bukur për të muzeuar të gjitha godinat kulturore. Në çdo bashki që ka në zemër të vet një qytet të vjetër, ka shtëpia me vlera të rëndësishme për trashëgiminë kulturore, që janë të pabanuara ose të rrënuara, procesi do jetë marrja e pronës nga shteti dhe muzealiteti i tyre. Në Tiranë kemi disa prej tyre. Analizoini, shikojini dhe përcaktoni si procedura për të hyrë në këtë proces. Kemi shumë gjëra që mund të ekspozojmë. Jemi një vend që ka në zemër të vet turizmin. Kemi fatin që e kemi turizmin të përqendruar në të gjithë territorin, por duhet të rrisin atraksionet. Mund të kemi muzeume të vogla për produktet. Ne nuk e kemi një muze të rakisë, verës apo vajit të ullirit shqiptar. Mund të shkohet në çdo drejtim që ka interes. Identifikoni shtëpitë që kanë potencialin për t’u bërë muze dhe në ndërkohë me njerëz të ditur në qytetet tuaja ndërtoni një plan muzealizimi të shtëpive të vjetra“, tha kryeministri.
/vizionplus.tv

