Ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Alaudin Malaj, ka bërë thirrje nga studio e “Quo Vadis” që të merret seriozisht alarmi i ambasadës së SHBA për rrezikun nga sulmet iraniane.
Sipas Malajt, sulmet terroriste mund të mos jenë vetëm luftarake, por edhe kibernetike apo ekonomike, prandaj duhet treguar shumë kujdes.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Është sot e vështirë në Shqipëri të bësh drejtësi?
Malaj: Patjetër. Ka rreth 7-8 vjet që trendi është drejt të fortëve. Njerëzit gjejnë më shumë mbështetje te i forti i lagjes sesa te polici.
Borakaj: Mua më shumë më shqetëson modeli që i ofrojmë të rinjve.
Malaj: Patjetër që ka mundësi të ndodhë diçka në Shqipëri, pasi ka shumë terren. Në kohën tonë i bënim sytë katër kur bëhej fjalë për ISIS. Sot nuk ka më atë vigjilencë.
Borakaj: Ka pasur vigjilencë më të madhe atëherë?
Malaj: Patjetër që po. Po t’i vësh re, edhe muxhahedinët policia i ka pasur nën mbikëqyrje. Mos harroni operacionin e Policisë së Shtetit para disa viteve, kur u bënë kontrolle dhe u identifikuan persona që më pas u përjashtuan nga Shqipëria. Nuk përjashtohet mundësia e asaj që thotë Ambasada Amerikane, që mund të kryhen akte terroriste. Pra, e gjithë kjo tablo është e vërtetë.

