Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca ka reaguar për procesin gjyqësor të krebashkiakut të Tiranës, duke dhënë më shumë detaje mbi procesin zgjedhor, por edhe arsyen e shtyrjes së seancës së kësaj të mërkure.
Përmes një deklarate publike, Plarent Ndreca bëri me dije se arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e njërit prej avokatëve të të pandehurve.
“Sa i takon seancës së datës së sotme, ajo u shty jo për shkak të z. Veliaj apo mbrojtjes së tij, por për shkak të mungesës, për arsye shëndetësore, të një prej avokatëve të tjerë në proces.
Njëkohësisht, në këtë seancë, ashtu si edhe në atë pararendëse, konstatojmë me shqetësim një qasje të përfaqësuesve të akuzës për të ushtruar një trysni të pajustifikuar, me qëllim vijimin me nxitim të një procesi që ka humbur tashmë një shkallë gjyqësore, pikërisht si pasojë e këtij nxitimi dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese në fazën paraprake”, tha Ndreca.
Më tej, avokati ka dhënë edhe disa të dhëna konkrete. Dosja në total përmban 60 mijë faqe, në një proces ku janë 30 persona të pandehur. Në këto faqe, nuk janë të përfshira aktet e seancës paraprake, ku vetëm kërkesa për gjykim e prokurorisë është rreth 565 faqe
Në këto kushte, Ndeca shprehet se është e pamundur shqyrtimi i plotë i dosjes, për shkak të volumit shumë të lartë.
“Këto shifra nuk përfaqësojnë përmbajtjen e analizuar, por vetëm volumet formale të akteve. Një dosje e këtij dimensioni kërkon studim të thelluar, analizë, ballafaqim dhe përgatitje profesionale, procese që nuk mund të realizohen në kushte nxitimi. Për ilustrim, standardet e praktikës së GJEDNJ sugjerojnë se një profesionist nuk mund të përpunojë në mënyrë cilësore më shumë se rreth 180 faqe në ditë.
Imagjinoni për një moment një material hetimor prej 60,000 faqesh që nuk është një vepër letrare e cila lexohet për kënaqësi, por një proces kompleks juridik, ku çdo faqe kërkon verifikim, analizë dhe vlerësim, dhe mbi të cilin varet jo vetëm fati i një individi, por edhe përgjegjësia publike e Kryetarit të Bashkisë së qytetit më të madh në vend”, thuhet në deklaratën e avokatit Plarent Ndreca.

