Ndryshimet e drejtuesve politikë të PS në qarqe kanë qenë shkak i debatit mes ish-deputetit socialist Petro Koçi dhe deputetit demokrat Ivi Kaso këtë të martë në studion e “Quo Vadis”.
Koçi tha se ndryshimet politike në këtë moment janë normale, pasi kandidati për bashki nuk mund të jetë edhe drejtues politik i qarkut.
Por për demokratin Ivi Kaso nuk është normale që një ministër të jetë drejtues politik, pasi kjo do të thotë të përdorësh makinerinë shtetërore në zgjedhje.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Ndryshimet e drejtuesve në qarqe?
Koçi: Janë të logjikshme. Nuk mund të jetë kandidati për kryetar bashkie edhe drejtues qarku, prandaj janë bërë ndryshimet në Shkodër dhe në Durrës.
Kaso: Ç’punë ka ministri me përpjekjen elektorale të PS, pasi kudo janë të ndara?
Koçi: Ministri është në nivelet më të larta të përfaqësimit politik.
Kaso: Nuk ka pasur asnjë ditë në PS, në ndryshim nga ju që keni një jetë në PS. E vetmja meritë është që ka qenë drejtor i OSHEE, ka firmosur çfarë ka dashur Belinda Balluku; SPAK i ka marrë telefonin.
Koçi: Nëse ka bërë faj, të shkojë ku e meriton.
Kaso: Edhe tjetri po ashtu është nën hetim.
Xhafo: Është delegim politik.
Kaso: Ky shkon me gjithë makinerinë e pushtetit: “Doni vende pune? Hajde këtu. Doni rrugë? Hajde këtu.”
Koçi: Po bëre rrugë që shkërmoqet, shkërmoqesh edhe politikisht.
Kaso: Doni 200 drejtorët e Belindës, të cilët s’i ke asnjë ditë në Tiranë. Kjo pra është “merita” e ministrit. Nuk duhet ta pranojmë si të natyrshme që të shkojë me ministrinë atje për të fituar bashkinë. Çfarë shansi ka një opozitë përballë kësaj makinerie?
Koçi: Nëse merr ministrinë me vete, shkon për ndjekje penale.

