Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste te “Melia” në Durrës u ndal fillimisht te ndikimi i krizave globale mbi ekonominë shqiptare, duke përmendur veçanërisht tensionet në Lindjen e Mesme dhe efektin e tyre mbi furnizimin me naftë dhe benzinë.
Rama theksoi se rritja e çmimeve të karburanteve, e nxitur nga konflikti mes SHBA dhe Izrael me Iranin, ka detyruar qeverinë të marrë masa për të mbrojtur qytetarët. Sipas tij, çdo ditë që çmimi i naftës kalon tavanin e 220 lekëve, do të aplikohet një ulje prej 20% e akcizës.
Kryeministri theksoi se situata nuk ka prekur ende çmimet e tjera, ndërsa bëri me dije se qeveria do të rikthejë Bordin e Transparencës.
Rama: Dua ta filloj me një fakt që shqetëson të gjith…sepse tanimë siç kemi mësuar krizat që ndodhin larg nesh jetojmë në një botë aq të lidhur në zinxhirin e vet ekonomik, saqë çdo krizë sado larg nesh projektohet edhe te ne. E kam fjalën për atë që po shfaqet ditët e fundit si një impakt i drejtpërdrejtë i luftës që SHBA dhe Izraeli i kanë hapur regjimit kriminal të Teheranit, një impakt në të gjitha pompat e furnizimit me naftë dhe benzinë. Çmimi i naftës jo vetëm që është rritur, por parashikohet që të rritet edhe më tutje. Për këtë arsye ne kemi vendosur në lëvizje Bordin e Transparencës, që e kemi përdorur edhe më parë. Po ashtu kemi marrë edhe një vendim që për çdo ditë që çmimi do të kërcejë mbi tavanin e 220 lekëve do të ketë një ulje me 20% të akcizës së naftës. Deri tani nuk shikojmë impakt në të tjera çmime, por fatmirësisht jemi në kushtet kur kemi një borxh dhe një defiçit të ulët, që na mundëson që në momente të tilla të kemi një hapësirë në dispozicion për të mos lënë vetëm askënd duke pasur parasysh ata që janë më në nevojë.

