Zgjedhjet e 23 majit brenda Partisë Demokratike kanë qenë tema e diskutimit këtë të enjte në “Quo Vadis” në Vizion Plus, të moderatores Pranvera Borakaj.
I ftuar në studio, gazetari Ardit Hoxha ka theksuar se ajo që është parë deri tani në zgjedhjet brenda degëve lë pak vend për të shpresuar se zgjedhjet për kryetarin e partisë do të jenë reale.
Sipas tij, në disa degë procesi ka qenë komplet “fake”. Ndërsa analistja Arsejda Gjyli, duke komentuar përplasjet në disa degë të PD, ka theksuar se për sa kohë këto procese drejtohen nga Flamur Noka, gjëra të tilla do të ndodhin.
Pjesë nga biseda:
Ardit Hoxha: A është PD sot gati për të qenë një parti politike qeverisëse? Unë mund të them që nuk është gati. Sot në PD dëgjojmë shumë raste, ka debat, ka garë, ka diskutime të brendshme, por këto janë të pavlera kur ti garën e ke fiktive. Në shumë degë procesi ka qenë komplet “fake”. Nëse beteja është reale, unë jam pro “grushtit”.
Gjyli: Si pro “grushtit”?
Ardit Hoxha: E kisha në kuptimin që jam kundër falsitetit. Në shumicën e degëve ku procesi është zhvilluar, procesi ka qenë fiktiv. Shkohet, votohet ata që enturazhi ka vendosur. Ky proces fiktiv që në qelizë do të vijojë edhe në shkallën tjetër. Si mund të pretendosh që procesi për kryetarin e partisë do të jetë real?
Gjyli: Edhe dhuna që prodhohet në këto qeliza është njëlloj inati. Ta dirigjojë Noka me shokë, ashtu do të përfundojë.
Lisandër Hoxha: Ke qenë aty?
Gjyli: Kam parë çfarë ka dalë në media.
Lisandër Hoxha: Ku?
Minga: Po flet për Shkodrën, Arsejda.
Ardit Hoxha: Nuk ma mohon dot se procesi ka qenë i paracaktuar. Ka pasur degë ku pjesëmarrja ka qenë me 30 anëtarë.

