Partia Demokratike ka depozituar dy projektligje në kuvend, që synojnë uljen e çmimit të naftës. Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë Enno Bozdo shpjegoi në një konferencë me gazetarët se Shqipëria në këtë situatë të vështirë duhet të ulë taksat që rëndojnë mbi naftën, duke ndjekur modelin e vendeve anëtare të BE-së, si Italia.
“ Uljen e taksës së qarkullimit në nivelin që ka qenë në vitin 2013,përpara se qeveria Rama ta rriste 4 fish; Aplikimin e modelit të ‘akcizës së ndryshueshme’, sipas praktikës së ndjekur nga Italia, ku teprica e TVSH-së nga rritja e çmimit të karburantit përdoret për uljen e akcizës,duke ofruar kështu një mekanizëm shumë të ndershëm dhe në dobi të qytetarëve. Zbatimi i këtyre masave do të sillte një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës, nga rreth 220 lekë/litër qe po shitet sot, në të paktën 175 lekë/litër”, tha Bozdo.
Sipas PD-së është emergjente ulja e taksave, pasi taksat përbëjnë 65% e çmimit të karburantit në Shqipëri.
“Sot, shteti shqiptar për çdo litër nafte të shitur merr rreth 125 lekë taksë. Me fjalë të thjeshta, çdo qytetar Shqiptar paguan rreth 1,200 lekë të vjetra taksë për çdo litër nafte që konsumon, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantin dhe si rrjedhojë, me një nga çmimet më të larta në Evropë”, shtoi Bozdo.
PD akuzoi qeverinë për dështim në menaxhimin e rezervave të naftës, pasi ato në Shqipëri mbulojnë vetëm 30 ditë, ndërkohë që standardi i BE-së kërkon mbulim për 90 ditë importe./vizionplus.tv

