Komuna e Likovës, u organizua iftari tradicional i përbashkët nga Forumi Rinor Islam – dega Kumanovë-Likovë dhe Komuna e Likovës
Në këtë organizim morën pjesë udhëheqës të Komunës së Likovës, përfaqësues të Forumit Rinor Islam në nivel qendror dhe lokal, anëtarë dhe aktivistë të FRI-së, familje të dëshmorëve dhe martirëve, invalidë të luftës, donatorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, bashkëpunëtorë, miq dhe dashamirë të shumtë.

Pas përfundimit të iftarit, Hoxhë Azir Avdiu përcolli një mesazh të shkurtër mbi vlerat dhe begatitë e muajit të Ramazanit, si dhe bëri duanë e bukës.

Programi u moderua nga Arsim Jonuzi, i cili në hapje i dha fjalën kryetarit të Forumit Rinor Islam në nivel qendror, Abdulhamid Mustafa. Në fjalën e tij përshëndetëse, ai falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e vazhdimësisë së këtij bashkëpunimi tradicional.

Më pas, me një fjalim përshëndetës u paraqit kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, i cili shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e ndërsjellë me strukturat e FRI-së në nivel republikan dhe lokal.
Programi u pasurua me ilahi dhe këngë patriotike të interpretuara nga Hfz. Abdullah Shaqiri dhe Avni Nebiu, të cilët krijuan një atmosferë të veçantë festive në frymën e Ramazanit.

Komuna e Likovës shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjithë të pranishmit dhe kontribuuesit në realizimin e këtij organizimi. Zoti jua pranoftë agjërimin dhe lutjet tuaja./Televizioni News

