Shkup, 20 shkurt – Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në pikën kufitare Bllacë, ku është njohur nga afër me organizimin e punës dhe dinamikën e përditshme në këtë pikë me rëndësi të veçantë për lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e mallrave.
Gjatë vizitës, Dauti bashkëbisedoi me stafin për sfidat konkrete me të cilat përballen dhe theksoi nevojën e vazhdueshme për koordinim, efikasitet dhe integritet në ushtrimin e detyrës. Ai vuri në dukje se një element i rëndësishëm i kësaj pike kufitare është sistemi One Stop Shop, i cili ka lehtësuar procedurat dhe ka përmirësuar shërbimet për qytetarët.
Sipas të dhënave të vitit 2025, pika kufitare Bllacë ka regjistruar hyrje dhe dalje të rreth 32.000 kamionëve të ngarkuar dhe 25.000 kamionëve të zbrazët, shifra që tregojnë intensitetin e lartë të trafikut të mallrave dhe rëndësinë e efikasitetit në punën e përditshme të stafit. “Vizitat e tilla nuk janë vetëm pjesë e detyrës institucionale, por edhe mundësi për të dëgjuar drejtpërdrejt zërin e atyre që punojnë në terren. Vetëm përmes komunikimit të hapur dhe mbështetjes së ndërsjellë mund të jemi më efikas dhe më transparent, duke siguruar shërbime më cilësore dhe respektim të plotë të ligjit në çdo pikë kufitare”, ka shkruar Dauti në Facebook.

