Në Konferencën e Sigurisë e cila po mbahet në Mynih, kryeministri i vendit Hristijan Mickoski ka zhvilluar takim me kryeministrin e Holandës Dik Schoof, transmeton TV21. Mickoski në rrjetin social Facebook ka shkruar se Holanda nuk është vetëm mik i sinqertë, por siç thekson edhe një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik.
“Sot në Mynih realizova një takim produktiv me kryeministrin holandez, Dik Schoof. Holanda nuk është vetëm mik i sinqertë i yni, por edhe një nga partnerët tanë më të rëndësishëm ekonomikë.
Morëm një konfirmim të qartë se Maqedonia ka një aleat të fortë në Holandë për rrugën tonë eurointegruese, të bazuar në rezultate reale dhe reforma.
Biseduam për investimet holandeze që tashmë janë të pranishme me kapacitete prodhuese në Maqedoni, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit dhe investimeve më të mëdha të kompanive holandeze në fushën e shëndetësisë.
Vazhdojmë ta ndërtojmë Maqedoninë si një destinacion atraktiv për kapitalin evropian. Çdo investim i ri do të thotë vende të reja pune dhe standard më të mirë për qytetarët tanë”, ka shkruar kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

