Në Kumanovë, një servis automekanik nuk është
vetëm vendi ku riparohen makinat, por edhe vendi
ku një vogëlush 9-vjeçar ka filluar të ndërtojë
ëndrrat e tij. Anik Memedali, vetëm 9-vjeç, ka një
pasion të rrallë për këtë zanat dhe një dëshirë të
madhe për të ndihmuar babain në punët e
përditshme.
Aniku ka filluar që në moshën 7-vjeçare. Që
atëherë, çdo ditë pas shkollës, ai vjen në servis, merr
pjesë në riparimin e automobilave dhe mëson çdo
detaj të zanatit. Ai njeh të gjitha mjetet që
përdoren për të riparuar një makinë dhe i përdor
me kujdes dhe siguri. Me duart e nxira nga vaji dhe
fytyrën e gëzuar, plot dëshirë për të mësuar, Aniku
punon me përkushtim, duke treguar se dashuria për
mekanikën mund të lindë që në fëmijëri.
Por ajo që e bën Anikun edhe më të veçantë është
pasioni i tij për automobilat BMW. Ai ëndërron të
mësojë çdo detaj të tyre dhe një ditë të punojë me
modelet e tij të preferuara. Dashuria për këtë zanat
dhe për këto makina duket në çdo veprim të tij –
qoftë kur ndihmon babain, qoftë kur shpjegon me
entuziazëm për shokët detyrat që kryen në servis.
Historia e Anikut është një shembull i qartë se
pasioni, përkushtimi dhe dëshira për të mësuar nuk
kanë moshë. Ky vogëlush është frymëzim për
bashkëmoshatarët e tij dhe për të gjithë ne. Ai tregon
se ëndrrat mund të realizohen kur ke zemër, dëshirë
dhe punë të madhe.
Anik Memedali nuk e sheh këtë punë si detyrim.
Për të, çdo makinë që riparon është një mundësi për
të mësuar, për të ndihmuar babain dhe për të bërë
hapin e parë drejt ëndrrës së tij: të bëhet një
automekanik i vërtetë./Televizioni News

