Kryetari i komunës së Kumanovës dhe kryetar i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, komentoi mbrëmë në emisionin e TV “21” kërkesat aktuale të Bashkimit të Sindikatave (SSM) për rritjen e pagës minimale, për shkak të rritjes së ndjeshme të kostos së jetesës, përfshirë shtrenjtimin e ushqimit dhe produkteve bazë.
Dimitrievski, si kryetar i një partie në pushtet, u shpreh kundër rritjes së pagës minimale, duke thënë se në këtë temë ka “shumë politikë dhe pak substancë”. Ai pranoi që pagat në Maqedoni janë të ulëta, por theksoi se rritja e pagave, përfshirë rritjen e pagës minimale, “do të sjellë edhe rritje të çmimeve”.
“Paga minimale në vend përmban shumë elementë politikë dhe shumë pak substancë. Paratë janë gjithmonë të pakta, dhe pagat janë të ulëta në Maqedoni, por rritja e pagave nënkupton edhe rritje të çmimeve, sidomos nga ofruesit e shërbimeve publike. Unë dua që ndërmarrjet publike të kenë paga të larta, por çmimet e shërbimeve do të jenë më të larta. Është shumë politikë dhe pak substancë. Qytetarët duhet të dinë se rritja e pagës minimale për të cilën lobojnë sindikalistët, kvasisindikalistët dhe politikanët sjell përfitime kryesisht për shtetin. Kjo nënkupton më shumë kontribute dhe të ardhura për shtetin. Substanca e marrëveshjes nuk është tek Qeveria, por tek Këshilli Ekonomik-Social”, tha Dimitrievski.
Këtë javë, Bashkimi i Sindikatave organizoi një protestë të madhe të punëtorëve në Shkup dhe paralajmëroi radikalizim dhe masa të reja për të ushtruar presion mbi Qeverinë që të pranojë kërkesat e punëtorëve.(INA)

