Shkup, 29 janar – Skandal me dy hetues të Gjykatës Speciale që ligjëruan për një orë para nxënësve të Kosovës, se si pjesëtarë të UÇK-së dyshohen se ka kryer krime, vrasje, trajtim çnjerëzor e tortura ndaj serbëve e shqiptarëve. Mes shumë reagimeve të ashpra nga eksponentë politikë në të gjitha hapësirat shqiptare, ka reaguar edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim,Ali Ahmeti.
Sipas Ahmetit historia nuk është pronë e askujt për ta deformuar, e aq më pak për t’ua transmethar brezave të rinj përmes narrativave të njëanshme dhe tendencioze.
Ali Ahmeti shkruan në profilin e tij në Facebook se UÇK lindi si domosdoshmëri historike dhe si përgjigje ndaj shtypjes sistematike ndja shqiptarëve.
Si njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovls, Ali Ahmeti ngre tagrin moral duke thënë se, proceset gjyqësore duhet të zhvillohen në institucionet përkatëse me respektë të plotë të parimit të pafajësisë.
“Ligjërata indoktrinuese” u zhvillua në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, ndërsa u prejudikua fajësia e krerëve të UÇK pa një vendim gjyqësor.
Postimi i plotë i Ali Ahmetit:
Historia nuk është pronë e askujt për ta deformuar, e aq më pak për t’ua transmetuar brezave të rinj përmes narrativave të njëanshme dhe tendencioze.
Ligjërata e mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë ngre shqetësime serioze mbi mënyrën se si çështje jashtëzakonisht të ndjeshme historike dhe gjyqësore prezantohen para nxënësve. Edukimi kërkon përgjegjësi, ekuilibër dhe respekt për të vërtetën në tërësinë e saj.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si domosdoshmëri historike dhe si përgjigje ndaj shtypjes sistematike. Ajo ishte një luftë për liri dhe dinjitet, jo një projekt kriminal. Kjo e vërtetë nuk mund të shtrembërohet e as të relativizohet përmes interpretimeve selektive.
Proceset gjyqësore duhet të zhvillohen në institucionet përkatëse, me respekt të plotë për parimin e pafajësisë. Ndërkohë, shkollat duhet të mbeten hapësira të dijes së balancuar, ku të rinjtë informohen pa paragjykime dhe pa imponim narrativesh.
Kujtesa historike ndërtohet me përgjegjësi dhe të vërteta. Brezat e rinj meritojnë qartësi, kontekst dhe respekt për sakrificën që solli lirinë.
Gjykata, në ushtrimin e mandatit të saj, duhet të reflektojë edhe mbi këto qasje që rrezikojnë të deformojnë procesin dhe perceptimin për të.

