Një foto historike e vitit 1950 tregon çiklistët e Kumanovës, duke na rikthyer pas në kohë kur biçikleta ishte më shumë se një mjet transporti – ajo ishte simbol i lirisë dhe i inovacionit në qytet. Sipas të dhënave historike, klubi i parë i çiklistëve në Kumanovë u themelua në vitin 1930, në kuadër të Shoqatës së “Sokolëve”, e cila promovonte aktivitetet sportive dhe fizike ndër qytetarët,
Një figurë kyçe në këtë histori është hoxha Femi Haxhiismaili, mjeshtri i parë i riparimit të biçikletave në Kumanovë dhe rrethinë. Ai kishte hapur dyqanin e tij që në vitin 1918 dhe ishte i pari që ofronte shërbime për mirëmbajtjen e biçikletave. Në atë kohë, posedimi i një motoçiklete ishte një privilegj i rrallë – pak qytetarë e kishin një të tillë, ndërsa biçikleta shpesh jepej me qera, për një orë dhe paguhej sipas kohës së përdorimit.
Ky detaj tregon sa e çmuar ishte biçikleta për banorët e Kumanovës në gjysmën e parë të shekullit të 20-të dhe si kishte filluar të krijohej një kulturë e hershme e çiklizmit. Përmes fotove dhe kujtimeve të mbledhura, mund të kuptojmë sesi sporti dhe aktiviteti fizik kanë qenë pjesë e jetës së qytetit, edhe në kohët kur infrastruktura dhe mjetet ishin të kufizuara.
Një foto nga koleksioni “Kumanova e vjetër” në rrjetet sociale na rikthen kujtime dhe histori të harruara, duke kujtuar pionierët e sportit dhe inovacionit në qytet, si dhe rëndësinë e biçikletës në jetën e përditshme të banorëve të Kumanovës.(INA)

