Komuna e Likovës gjithmonë ka qenë për një shtet unitar, ku dy komunitetet më të mëdha të jenë të barabarta, mirëpo jo edhe që të tolerojmë provokime nga pakicat, të cilat përmes nesh duan të përfitojnë politikisht e të krijojnë probleme ndëretnike. Kështu kryetari i Likovës, Erkan Arifi i është përgjigjur provokimit të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, se të dielën do shkojë në Manastirit e Mateçit, ndërsa ka publikuar foto me flamuj të Maqedonisë dhe Serbisë, shkruan gazeta KOHA.
“Kjo komunë, e dimë të gjithë se është e njëjtë me Drenicën, pasi sakrifica e jonë gjatë 2001-it është edhe do mbetet përgjithmonë e shenjtë, prandaj edhe nuk duhet të lejojmë që të poshtërohemi e të behemi vend për sprova që rrezikojnë harmoninë ndërmjet komuniteteve. Mjafë më poshtërimit”, shkruan Arifi.
Në ndërkohë, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, e ka në plan për ta vizituar Manastirin e Mateçit duke kaluar nëpër territorin e Likovës, i banuar pothuajse tërësisht me shqiptarë, shkruan gazeta KOHA.
Në një postim në rrjetet sociale, Stoilkoviq njoftoi se Manastiri i Mateçit është gati për shënimin e festës së manastirit – Shën Mëria e Vogël.
“Rruga është pastruar, është bërë hapësira e parkimit rreth manastirit, gjithçka është pastruar brenda dhe jashtë manastirit. Tani mbetet vetëm të mblidhemi të gjithë të dielën dhe t’i urojmë kumbarit Nikolla për gjithçka që ka arritur të bëjë që festa të shënohet siç i ka hije”, shkruan Stoilkoviq, duke publikuar edhe fotografi të makinerive të rënda që rregullonin rrugën deri dje të pakalueshme. (koha.mk)

