Projekti ynë i madh quhet “Çair – Urat Kulturore”, sepse kultura është ura që na lidh mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes komuniteteve dhe popujve të ndryshëm, ka thënë sot kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, ndërsa është zotuar se me këtë projekt, Çairi do të bëhet kryeqyteti kulturor i Shkupit, zemra e gjallë e multikulturalizmit, traditës dhe krijimtarisë bashkëkohore.
” Prioriteti ynë është që Çarshia të bëhet një skenë e gjallë kulturore dhe artistike, e cila do ta promovojë trashëgiminë multikulturore, do ta mbështesë krijimtarinë e re dhe do të ndërtojë ura mes komuniteteve. Së pari, do ta revitalizojmë Çarshinë; do t’i rinovojmë fasadat, kalldrëmet dhe ndriçimin. Do të krijojmë Qendër Kulturore, ndërsa Çairi do të jetë nikoqir i ‘Ditëve të Çarshive Ballkanike’, një panair i madh me qytete nga rajoni (Prizren, Gjakovë, Shkodër, Gjirokastër, Mostar, Sarajevë), me prezantim të zanateve, gastronomisë, kulturës dhe shkëmbim përvojash në promovimin e turizmit”, tha Osmani, ndërsa si pikë të dytë, përmendi mbështetjen e zanateve dhe turizmit.
“Së dyti, do t’i mbështesim zejet me subvencione dhe do ta zhvillojmë turizmin përmes brendimit dhe marketingut. Do të fusim edhe kategorizimin e restoranteve autentike tradicionale, në mënyrë që Çairi të bëhet destinacion gastronomik i njohur”, tha Osmani.
Si pikë të tretë, Osmani tha se do ta gjallërojë skenën kulturore me Festivalin “Doku n’Shkup”, i cili për 60 ditë do të sjellë film, kulturë dhe muzikë, si dhe me gara folklorike në shkolla për ta ringjallur traditën.
“Së katërti, do të investojmë tek të rinjtë: bursa për nxënës e studentë të talentuar, subvencione për instrumente muzikore, kabinete të pajisura për muzikë dhe ndërtimin e një salle leximi për nxënësit dhe studentët. Parashohim edhe subvencione për instrumentistët – nxënësit dhe studentët do të kenë mbështetje për blerjen e instrumenteve muzikore.. Gjithashtu, do ketë pajisje të kabineteve të muzikës – të gjitha shkollat fillore në Çair do të pajisen me piano dhe instrumente muzikore për të nxitur talentet e reja. Dhe, më në fund, do të krijojmë një Muze Virtual – arkiv digjital të historisë, fotografive dhe kujtimeve të banorëve, që shpirti i Çairit të mbetet gjallë për brezat e ardhshëm”.
Të gjitha këto projekte, tha më tej Osmani, do t’i realizojmë në mënyrë transparente, përmes konkurseve publike dhe partneriteteve me artistë, shoqata dhe institucione. “Me Çair – Urat Kulturore, do të dëshmojmë se kultura nuk është shpenzim, por investimi më i madh për të ardhmen e Çairit dhe të gjithë Shkupit”.

