Prej 10 muaj në qeli, Partia e Lirisë vijon ta konsiderojë përballjen e Ilir Metës me drejtësinë si një proces farsë dhe të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. Pasi Meta nuk e mori lirinë as pasi u mor i pandehur, numri 2 i PL-së, Tedi Blushi hodhi akuza ndaj SPAK dhe kreut të saj, Altin Dumani.
Sipas tij, Meta po mbahet në qeli për shkak të politizimit të SPAK dhe shantazhit që Prokruroia e Posaçme ushtron ndaj gjyqësorit. Blushi tha se hetimi për metën u urdhërua nga tribuna e Asamblesë së PS-së, duke thënë se deri më tani nuk është zbuluar asnjë provë që implikon Ilir Metën, edhe pse në fakt SPAK ka kopsitur dosjen dhe tashmë e ka marrë të pandehur.
“Presidenti i PL, prej 10 muajsh ndodhet në burg, jo për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK dhe shantazhit institucional që SPAK ushtron mbi GJKKO përmes përgjimit të gjyqtarëve dhe familjarëve duke cenuar pavarësinë e tyre në vendimmarrje. Nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Metës. Pretendimi që është rënduar pozita e Metës, është mashtrim, pozita e tij është lehtësuar për shkak se nga dita e rrëmbimit ka rënë kauza e lobimit dhe ndërkohë edhe akuzat e tjera janë zhbërë. Është rënduar pozita e prokurorëve të SPAK, vlen të theksohet se i gjithë ky proces farsë i urdhëruar nga tribuna e asamblesë së PS, me hetime që kanë zgjatur mbi 6 vite, kanë nxjerrë në dritë të vërtetat e vetme, zero fakte penale, zero lekë të përfituara në shkelje të ligjin, zero pasuri të paluajtshëm të metës, zero dëshmitarë realë, se të fabrikuar ka plot dhe me mundësitë kriminale të Ramës mund të prodhohen pa fund të tillë”, tha Blushi.
Blushi ndalet edhe tek argumentet se përse Meta u la në qeli, pasi sipas SPAK e GJKKO ka rrezik të intimidojë dëshmitarët. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Blushi u shpreh se nuk ka asnjë dëshmitar të PL që e fajëson Metën, ndërsa akuza hodhi ndaj kreu të SPAK dhe Endrit Braimllarit që iu bashkua PS.
“Dumani që flet për intimidim, mund të akuzohet si intimidues dëshmitarësh meqë një prej tyre i hyri në zyrë me testerën e PL dhe doli me testerën e PS madje edhe kandidat për deputet i Ramës në zgjedhjet parlamentare. Meta s’ka fuqi intimduese ndaj askujt. S’ka dëshmitar të PL që e fajëson Metën apo që e bën atë përgjegjës në raport me ligjin, manipulimi për të zbatuar porosinë e Ramës që donte Metën të izoluar në ekstremen, duke e keqpërdor SPAK si vegël”, tha Blushi.
Në fund Blushi tha se kërkon kthimin në ligjshmëri të këtij procesi që sipas tij ka ecur vetëm në trasenë e shtruar me urdhër politik të Edi Ramës.

